JU LUTEMI KLIKONI ME POSHTE

SMS.AL

Erjola apo Zhuljeta, cila do të largohet nga shtëpia?

Erjola apo Zhuljeta, cila do të largohet nga shtëpia?

Banorët e “Big Brother” kanë kaluar me sukses provën e javës së parë në shtëpi

http://www.galeriashqiptare.net/bigbrother2.jpg

“Kujdestar i javës”, Qetsori, nuk ka pritur për të shfaqur cilësitë organizuese e drejtuese. Në ditën e parë pas natës së spektaklit e pasi u zgjodh prej banorëve të shtëpisë si lider, ai ka filluar menjëherë të ndajë detyrat për secilin e të përcaktojë se cili prej tyre do ta ndihmonte gjatë hartimit të listës së buxhetit. Kështu ka nisur për banorët e shtëpisë më të madhe në vend dita e parë e javës së re, pas një spektakli të madh, të cilit sigurisht që nuk i munguan surprizat dhe emocionet. Në javën e parë u nominuan Erjola dhe Zhuljeta. Të dyja nuk e prisnin këtë nominim. Erjola më shumë se Zhuljeta, pasi mendonte se kishte krijuar miqësi mjaftueshëm sa për të mos u nominuar kaq herët. Ja ku ju sjellim disa prej çasteve më interesante të kaluara në shtëpi…


Banorët kalojnë provën e javës!

Autorët kanë vendosur që si provë të parë për banorët e shtëpisë së “Big Brother” të ishte prezantimi i tyre në 5 format e artit. Por kjo perfomancë, duke qenë se do të ndodhte pikërisht në ditën e Shën Valentinit, do të kishte si temë dashurinë. Ndaj ka zgjedhur për ta interpretimin e një skene romantike nga filmi “Kur Herri takoi Sellin”, të këngës “Për një çast më ndali zemra”, të tragjedisë shekspiriane “Romeo e Zhuljeta”, por kësaj radhe në një version humoristik, të vendosur jo në mesjetë, por në ditët tona, dhe të një valsi. Dimensioni i pestë ishte piktura dhe detyra e banorëve për këtë ishte të bënin një grafit, që të kishte lidhje apo të përmbante simbole të dashurisë, në derën e oborrit. Banorët kanë debutuar me radhë në kategoritë përkatëse. Kapërcimi i provës do të thoshte për banorët mosprekje e buxhetit javor, ndërsa moskalimi i saj, përveçse dështim moral, do të ishte edhe përgjysmim i të ardhurave të tyre. Vëllai i Madh, pasi ka vëzhguar me kujdes performancat e tyre gjatë spektaklit, që sipas tij nuk kanë qenë shumë të mira, por duke marrë parasysh vështirësitë e shkaktuara nga shiu dhe impenjimin e banorëve gjatë javës, ka vendosur që provën ta quajë të kaluar. Vendimi i ka gëzuar banorët. Ata arritën të ruajnë të paprekur buxhetin.

Erjola dhe Zhuljeta, në nominim!

Banorët e dinin dhe ishin të qartë se çfarë i priste të shtunën e dytë të spektaklit. Nominimet! Megjithatë, të ndodhur përpara faktit të kryer, situata ndryshon. Ata kanë hyrë një nga një në dhomën e rrëfimit, të thirrur nga Arbana dhe kanë dhënë emrat e banorëve që donin të nominonin dhe arsyet për këtë. Në fund të të gjithave, banorët e nominuar kanë qenë dy: Zhuljeta dhe Erjola. Ato do të votohen gjatë gjithë javës nga publiku dhe njëra prej tyre, ajo më pak e votuara, do të lërë përfundimisht shtëpinë e “Big Brother”, duke hequr dorë nga shuma prej 70000 eurosh e duke u larguar nga një eksperiencë unike dhe e papërsëritshme, bashkëjetesa në shtëpinë më të vëzhguar e më të veçantë në Shqipëri, shtëpinë e Vëllait të Madh.

Zhuljeta: “E prisja nominimin!”

“E prisja nominimin”, u ka thënë Zhuljeta dje banorëve. “E ndjeja! Aq më tepër kur më vunë bashkë me Mimozën. Ajo s‘kishte krijuar konflikte, kështu që aty u binda njëqind për qind”. Ajo ka vazhduar duke thënë se i vinte keq për Erjolën, por ka theksuar se nëse ajo ndihet keq tani, apo ndihet e zhgënjyer, e ka fajin vetë. Sipas saj, Erjola është treguar e dashur, madje më shumë se ç‘duhet, me të gjithë. “Nuk ke pse të jesh e dashur me të gjithë. Është shumë herët për të qenë e tillë!”, ka thënë ajo.

Erjola: “Nuk e prisja nominimin!”

E tronditur nga fakti i të qenit e nominuar dhe e zhgënjyer nga banorët e shtëpisë, Erjola, duke qarë, nuk i ka fshehur emocionet e veta. “Nuk e prisja të isha e nominuar!”, ka thënë ajo. Aida nuk ka vonuar t‘i thotë se ajo nuk e kishte nominuar dhe ajo nuk duhet të kishte dyshime për këtë. Në bisedën me Liritën, Erjola është shprehur se banorët nuk e kanë vlerësuar siç duhet atë dhe kontributin e saj në shtëpi. “E dija që kjo ishte diçka që do të na ndodhte të gjithëve këtu, por më erdhi e papritur!”, ka thënë ajo.

Surpriza e “Big Brother” për Dritanin

Meqenëse ishte Shën Valentini, dita e të dashuruarve, “Big Brother” ka vendosur t‘i bëjë Dritanit një surprizë, duke i sjellë në shtëpi të fejuarën. Momenti i takimit të të dyve ishte mjaft prekës. Dritani nuk e lëshonte atë nga krahët e tij, madje ju përlotën edhe sytë. E fejuara e tij i kishte sjellë dhuratë një byzylyk. Por surpriza për çiftin nuk përfundonte këtu. “Big Brother” u ofroi dy të dashuruarve mundësinë për ta kaluar të gjithë natën bashkë në tendën e kampingut. Megjithëse një rast i papërsëritshëm për t‘u çmallur e biseduar me njëri-tjetrin, pas një shkëputjeje njëjavore, ata e refuzuan ofertën e Vëllait të Madh. Pyetjes së Arbanës se përse e bënë këtë, ata nuk i dhanë shpjegime, por iu përgjigjën thjesht se kështu kishin vendosur të dy.

Adelajde flet me të fejuarin

Surpriza edhe për Adelajden. Edhe për të ishte Shën Valentin. Ndaj, gjatë spektaklit, Vëllai i Madh ka dashur që ajo të flasë me të fejuarin. Në fakt, gjatë gjithë javës autorët kanë kërkuar e këmbëngulur që ai të vinte në studio, por pa arritur që t‘ia mbushnin mendjen. E vetmja alternativë e mbetur ishte mundësimi i një lidhjeje telefonike mes tij dhe Adelës. Por fillimisht edhe kjo rezultoi e pasuksesshme: telefoni i tij ishte i fikur. Por, me sa duket, ai, si në fund të fundit të gjitha familjet shqiptare, ishte duke ndjekur spektaklin “Big Brother” në “Top Channel” dhe menjëherë e ka hapur telefonin. Kështu është bërë e mundur që me ndihmën e Arbanës, ata të flasin me njëri-tjetrin. Por nuk ka ndodhur ajo që ndoshta prisnin të gjithë, një bisedë me nota romantike mes tyre. Në fakt, ai ka qenë kundër vendimit që Adelajda të hynte në shtëpinë e “Big Brother” dhe kjo ka shkaktuar një shkëputje në lidhjen pesëvjeçare të tyre. “Mundohu të jesh vetvetja, ti je vajzë e mirë dhe e sjellshme!”, i ka thënë i fejuari Adelajdes. Me insistimin e Arbanës dhe ngacmimeve të saj, pyetjes “A e ke ti xhan Adelajden?”, ai mezi iu përgjigj që e ka.

Bjorni dhe Aida flenë në tendë

Darka e mrekullueshme që priste Dritanin dhe të fejuarën e tij dhe tenda në zonën e kampingut nuk mund të shkonin kot. Prandaj, “Big Brother” vendosi t‘u linte banorëve një mundësi për ta shfrytëzuar atë. Çifti që do të ofrohej për ta bërë këtë e që nuk do të kundërshtohej nga banorët e tjerë do ta gëzonte darkën dhe atë hapësirë të gjithën për vete. Fillimisht u ofruan Lirita dhe Aida, por duke qenë se duhej të ishin një mashkull e një femër, gjithmonë sipas rregullave të Vëllait të Madh, u zgjodhën Bjordi dhe Aida. Ata kanë shijuar të kënaqur darkën e mrekullueshme të përgatitur për Dritanin e të fejuarën e tij dhe e kanë kaluar gjithë natën duke biseduar. Në mëngjes, Aida e lodhur, por e kënaqur nga nata, ka thënë: “Ku është ai Dritani, se do ta vdes fare, pse kishte turp ai?! Nuk e keni idenë sa mirë kemi kaluar. Siç tha edhe Bjordi, vazhdoi ajo, edhe një shoqe po të më kishte ardhur, unë do të kisha pranuar të flija në tendë. Thjesht për t‘u çmallur, për të folur”.

E shoqja i shpreh dashurinë!

Nëpërmjet një mesazhi të regjistruar, bashkëshortja i ka shprehur Qetsorit dashurinë dhe keqardhjen për faktin se nuk ishin bashkë në këtë Shën Valentin. “Të uroj dy gjëra në jetë”, i ka thënë ajo, “gjithçka dhe asgjë! Gjithçka që e bën jetën tënde të lumtur dhe asgjë që të bën të vuash. Gëzuar dhe fitore”.

“Gëzuar ditëlindjen mami!”

Nëpërmjet një letre, të lexuar gjatë spektaklit, Zhuljeta i ka uruar të ëmës ditëlindjen. Ajo i ka thënë se ishte krenare që ishte bija e saj, se ishte e lumtur që i ngjante fizikisht dhe shpirtërisht, pa lënë jashtë edhe të atin, të cilin e donte dhe e respektonte. “Unë po jetoj tani, i shkruante ajo nënës, atë që ti do të kishe dashur të jetoje në rininë tënde. Unë jam tani ashtu siç do të ishe ndoshta edhe ti, po të jetoje tani moshën time”. Fjalët e Zhuljetës e kanë emocionuar të ëmën që ndodhej në studio. “Ajo nuk ka munguar kurrë në ditëlindjen time, ka thënë e ëma e Zhuljetës, ajo ma festonte. Nuk mungoi as kësaj radhe”!

Qetsori zgjidhet kujdestar

Vëllai i madh i ka kërkuar secilit prej banorëve të shtëpisë, në dhomën e rrëfimit, që të shkruanin emrin e banorit që ata mendonin se duhet të ishte kujdestari i tyre për javën në vazhdim dhe që do të vendoste për buxhetin e administrimin e tij. Pasi e kanë shkruar secili emrin që mendonin në fletët përkatëse (përveç Mimozës, që në vend të shkruante në fletën me emrin e saj, shkroi në atë të Bjornit), Dritani, me kërkesë të Vëllait të Madh, i ka lexuar ato. Me shumicë votash, “Kujdestar i javës” është zgjedhur Qetsori.

Banorët zgjohen dhe diskutojnë buxhetin

Që në ditën e parë të tij si “Kujdestar i javës”, Qetsori ka shfaqur më tej cilësitë e tij organizuese e drejtuese. Ai ka filluar menjëherë të ndajë detyrat për secilin e të përcaktojë se kush prej tyre dhe si mund ta ndihmonte gjatë hartimit të listës së buxhetit. Më pas, gjatë kohës së caktuar nga Vëllai i Madh, ata kanë nisur diskutimet për buxhetin dhe për ushqimet që do të porosisnin kësaj radhe. Duke qenë se provën e javës e kaluan me sukses, buxheti i tyre ngeli i paprekur.

0 Komente:

www.FilmaSex.com