ARBRI, NJË VIT MË PAS
Në bodrumin e një vile që nuk bie dhe aq në sy, brenda zonës së ish-Bllokut në kryeqytet, fituesi i edicionit
të parë të “reality show” “Big Brother”, Arbër Çepani, ka instaluar prej disa muajsh zyrën e tij. “Ndryshimi fillon nga ti” është motoja me të cilën 22-vjeçari ka ndërtuar tanimë fushatën sensibilizuese, i ndihmuar nga një rrjet të rinjsh vullnetarë. Ajo që e bën të veçantë “rezidencën” e Arbrit është modifikimi që i ka bërë bodrumit, duke e shndërruar atë nga një ambient të harruar, në një kullë të vërtetë malësie. Aty gjen gjithçka që duhet të ketë një strehë bajraku. Bucelat, sëpata e varur në mur, apo stiva e druve e improvizuar aq bukur, sa për një moment të duken se janë përdorur realisht për shkak të ambientit të ngrohtë aty brenda. Në mes të dhomës është e shtruar sofra e drurit dhe në qoshe të saj, shiltet me lesh deleje. Ajo çka na sjell në kohë e na bën të buzëqeshim janë shishet e verës, likeret mbi sofër. Përsëri të gjitha këto nuk e zbehin imazhin e një kulle brenda një vile moderne.
Që nga dita kur fitoi 50 mijë euro e deri më sot, kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj. Sot, në prag të nisjes së edicionit të dytë të “reality show” më të madh në vend, kemi në dorë të gjithë preventivin e projekteve që Arbri dhe grupi i vullnetarëve ka zbatuar në një periudhë kohore prej tetë muajsh.
Pas këtyre aktiviteteve, a mund ta dimë edhe sa para ju kanë mbetur? Nuk merremi me tenderime (qesh). Është një punë e përditshme, ka kosto dhe nuk i kemi bërë një buxhet real asaj që kemi bërë ne tani. Ajo çka ne kemi bërë deri tani, në qoftë se do ta krahasonim me koston e ndërtimit të një autostrade, jemi në mes të rrugës, kemi lekë për të investuar akoma, për ta mbyllur nga fillimi deri në fund.
Sa e gjatë mendoni se do të jetë kjo autostradë, siç ju preferoni ta cilësoni?
Ajo çfarë presim të bëjmë, është dhe një herë aq sa kemi bërë. Doja të shtoja diçka për “Big Brother”-in, të gjithë ata shqiptarë që na kanë ndjekur në edicionin e parë, i ftoj të na ndjekin dhe në këtë event të dytë, sepse do jetë një edicion plot surpriza e gjëra argëtuese, do të jetë një edicion ku një nga surprizat ndoshta
mund të jem dhe unë. Ndiqni datën 7 shkurt, do të jetë një natë plot surpriza, rrini të gozhduar, sikurse keni ndenjur tre muaj në “Big Brother“-in e parë, ashtu qëndroni dhe në të dytin.
Psikologjia në telenovelën reale
Enila Cenko, psikologia zyrtare e “Big Brother“, ka qenë pranë konkurrentëve në momentet e tyre të para të prezantimit me nje kamerë. Intervistë pas interviste, ka ndjekur emocionet e atyre njerëzve, të cilët janë gati të shndërrohen në personazhe duke qenë në vëzhgimin e pandërprerë të kamerave për 2376 orë. Se si do të rrjedhin ngjarjet në shtëpinë më të famshme e më të vëzhguar në Shqipëri, mund ta zbulojmë vetëm kur koha të mbarojë. Do të pëlqente të fliste për atë që e di me siguri; përvojën e një viti më parë. “Big Brother 2″ mbetet ende një surprizë. Një gjë është e sigurt, ajo do të vazhdojë të qëndrojë pranë të gjithë banorëve të rinj, pse jo, duke “kursyer” edhe orët e gjumit. Sepse telenovela e jetës reale, siç Enila parapëlqen ta quajë, të përfshin në çdo sekondë të ngjarjeve.
Cila ka qenë marrëdhënia juaj me 18 banorë në 100 ditët e një viti më parë?
Gjatë eksperiencës sime profesionale, kam punuar me njerëz të moshave të ndryshme dhe nga sfera të ndryshme të jetës. Por në rastin e “Big Brother”, u prezantova me 18 banorë, të përzgjedhur qëllimisht për
të qenë të ndryshëm për sa u përket personaliteteve të tyre, përvojave jetësore dhe këndvështrimeve që kanë mbi jetën.
Sa ndryshon komunikimi mes tyre, mes marrëdhënies që ju keni me klientët në punën nën studion e psikologut?
Këta banorë u vendosën në situata artificiale dhe shpeshherë të ngarkuara emocionalisht, të një lloji të veçantë, që shumë pak njerëz mund të provojnë në jetë. Këto arsye kanë bërë që dhe puna ime me ta të ishte e një natyre të ndryshme nga ajo që karakterizon marrëdhëniet e zakonshme psikolog-klient. Për më tepër,
gjatë kohës që banorët ndodheshin brenda në shtëpi, komunikimi midis nesh kryhej nëpërmjet mikrofonave
dhe një kamere nëpërmjet së cilës unë i shihja banorët, por jo ata mua. Pamundësia e kontaktit të drejtpërdrejtë fizik dhe faktorë të tjerë të ngjashëm, më kanë dhënë mundësinë që të përballesha me aspekte të reja të marrëdhënies me klientët, gjë që e vlerësoj si mjaft të rëndësishme në nivelin profesional.
Duke qenë se roli i psikologut është për t‘u kujdesur për mirëqenien emocionale të klientit, sa keni mundur të ruani etikën në një spektakël të tillë, në dukje paska kontradiktor?
Në marrëdhënien me klientët, qëllimi kryesor i psikologut është të përkujdeset për mirëqenien emocionale
dhe mbarëvajtjen e shëndetit mendor të tyre. Për këtë arsye, puna ime me banorët është përqendruar tërësisht mbi mirëqenien e tyre, duke lënë mënjanë qëllimisht pjesën e spektaklit që kishte të bënte me
“lojën” e banorëve për çmimin fitues. Jam përpjekur vazhdimisht që të mbaj një qëndrim të hapur dhe jo gjykues ndaj banorëve, në mënyrë që të krijoj një marrëdhënie terapeutike me ta.
Sa konfidenciale është marrëdhënia juaj me ta?
Marrëdhëniet e mia me secilin nga banorët e “Big Brother” kanë qenë tërësisht konfidenciale, sipas rregullave
të etikës së psikologut.
Jo. Profesionale. Kam zgjedhur të mos shfaqem si opinioniste në spektaklin “live” të të shtunave mbrëma,
pasi dhënia e opinioneve mbi sjelljen apo veprimet e banorëve do të thyente konfidencialitetin e marrëdhënieve të vendosura mes nesh.
A e kanë pasur të lehtë të hapen personazhet e “Big Brother” me ju?
Nuk kam pritur dhe nuk i kam shtyrë banorët që të “rrëfehen” tek unë për ngjarje të mëparshme të jetës së tyre, pasi dhe marrëdhënia jonë ka qenë e fokusuar në të tashmen dhe jo në të kaluarën.
A ka pasur raste që kanë bërë rezistencë ndaj nevojës për të marrë shërbimin e psikologut?
Jo, nuk kam hasur rezistencë nga banorët e “Big Brother”. Por, sigurisht që banorë të ndryshëm, e kanë
shfrytëzuar në mënyra të ndryshme mundësinë e bashkëbisedimeve, disa më shpesh e disa më pak.
Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju gjatë punës me ta?
Momenti më i vështirë për mua ka qenë dita e shpërthimit në fshatin Gërdec, ngjarje të cilën banorët e shtëpisë së “Big Brother” e përjetuan fare afër.
Sa kohë në ditë harxhonit me ta?
Orë pafund. Jo sepse komunikoja drejtpërdrejt me ta në mënyrë konstante, ndonëse dhe bashkëbisedimet
tona nuk kanë qenë të pakta. Por natyra e punës sime ishte e tillë që duhet t‘i ndiqja vazhdimisht zhvillimet në shtëpinë e “Big Brother” nëpërmjet ekranit.
Ç‘mendim keni për sjelljet, reagimet dhe veprimet e tyre brenda shtëpisë?
Mendoj se falë sjelljeve, reagimeve dhe veprimeve të tyre shpesh origjinale, banorët na kanë dhuruar një
spektakël tepër argëtues.
Duke qenë se ky spektakël vendoste shpesh rregulla dhe sanksione, a mendoni se ka ndikuar në rritjen e stresit te banorët?
Sigurisht që po. Vendosja e një sistemi të fortë kontrolli nga ana e “Big Brother” është një nga elementët
kryesorë të spektaklit, së bashku me izolimin nga bota e jashtme, bashkëjetesën me të panjohur dhe jetesa në kushte bazike. Është kombinimi i këtyre faktorëve që e bën interesante qëndresën e banorëve në këtë shtëpi, pasi atyre ju duhet të menaxhojnë stresin që vjen si pasojë e tyre; ndërkohë që duhet të punojnë për të fituar çmimin e madh.
Si do ta vlerësonit këtë spektakël?
“Eksperiment psikologjik?”
Më tepër se një eksperiment psikologjik, do ta quaja një “telenovelë të jetës reale”.
Burmi: Suplementi Big Brother Albania
0 Komente:
Posto një koment