Mesida Lleshi tregon jetën e saj, divorcin e prindërve, dashurinë e munguar të nënës dhe respektin për idhullin e saj, që është babai.E përjashtuara e radhës nga Big Brother-i, ka pasur një antipati të theksuar për banoren tjetër aty brenda, Adelajdën, dhe këtë e pranon me plot gojë. Është nga ato vajza çapkëne, që ia kanë dalë vetë në jetë.Divorci i prindërve në një moshë fare të vogël, nuk e ka penguar Mesidën të jetojë një jetë aktive dhe të vazhdojë studimet për Juridik në Suedi.
Kam provuar të punoj që 18 vjeç, thotë ajo, ndërsa ka rezerva për kotësinë, që rrëmben rininë shqiptare. Në një intervistë për Sh2-shin, Mesida tregon eksperiencën e saj brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri dhe realizimin e ëndrrës së saj, për t'i hyrë një aventure, të cilën do ta mbajë mend gjatë.
Madje, sipas saj, ajo ka qenë "katalizator" për puthjen e Bjordit me Adelajdën, dhe, po të mos kishte qenë ndërhyrja e saj, ndoshta nuk do të kishte ndodhur.
Pse vendose të marrësh pjesë në Big Brother?
Nga ajo që unë mendova se do të ishte një nga aventurat e jetës sime. Desha të njihja veten time më shumë dhe ta dija se sa përballoja. Kjo ishte arsyeja. Erdha në Shqipëri dhe mora pjesë në audicionet e Big Brother-it. I kisha humbur shpresat për të qenë pjesë e shtëpisë, por kur u njoftova, u gëzova shumë. Vetëm përzgjedhja ishte fitore për mua.
Mendon se ia dole me këtë aventurë që nise?
Për aq sa ndenja, e përballova, por po të kisha ndenjur më gjatë, mendoj se nuk do t'ia kisha dalë dot. Sepse aty je në luftë me veten tënde, është shumë më ndryshe nga sa shihet në televizor. Kur futesh brenda e kupton se sa e vështirë është.
Rrethanat janë të tilla, sepse jeton me njerëz që nuk i njeh. Në jetën e përditshme, kur acarohesh me një person, largohesh, ndërsa aty nuk ke ku të shkosh, do apo s'do të përballesh me gjërat.
Ju u bëtë pjesë e shtëpisë disa javë më vonë. E kishit parë lojën e banorëve, hytë me ide të qarta?
Jo, unë mund të kem parë vetëm 15 minuta gjithsej. Nuk doja të kisha paragjykime kur të futesha. Do mundohesha t'u jepja të gjithëve ndonjë shans të tregonin veten e vet dhe ashtu ndodhi. U bëra pjesë e asaj shtëpie thjesht për një eksperiencë të bukur, që shumë pak veta mund të thonë se e kanë bërë.
Familja jote ka një histori të veçantë...
Pjesëtarët e familjes i kam jashtë. Prindërit e mi janë divorcuar që kur unë isha fëmijë. Fillimisht kam jetuar me babin, më pas me vëllanë dhe tani jetoj vetëm.
Me cilin nga banorët do të mbash kontakte, kur të dalësh nga shtëpia?
Aida, Arjoni, Bjordi, Bika, Moza... të gjithë, përveç Adelës.
Duket sikur nuk ke arsye shumë të fortë për të pasur inat Adelajdën, pse e kundërshtoje vazhdimisht?
Kisha. Arsye e parë është se Adela është personi që bëhet e mirë në kurriz të të tjerëve. Fakti që studioj për Juridik, më bën ta kem në gjak dhe të mos duroj padrejtësitë.
Ajo bën shumë gjëra të padrejta aty, ua hedh fajin të tjerëve dhe del e larë vetë nga çdo situatë. Nuk e di se sa e mirë ju duket të tjerëve, po mua nuk më duket e tillë.
Po pse, çfarë të bëri ty Adela në shtëpi, që të krijosh këtë lloj opinioni?
Unë e mbroj shumë shoqërinë time. Mendoj që një nga arsyet që kam dalë, është se, siç thotë Aida, dilja me shpatën e Skënderbeut. Ajo mundohet të sulmojë miqtë e mi aty brenda.
Para se të ishin miqtë e tu, ishin miqtë e Adelës, apo jo?
Po ja që në fund u bënë miqtë e mi. Me Adelën nuk është se kanë qenë miq që në fillim, thjesht kanë bashkëjetuar. Aida nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie të mirë me zyshën.
Mendon se Adela ndjen diçka për Bjordin dhe, në qoftë se e ndjen, e bën për show apo se e do vërtet?
Nuk besoj se e bënë për show. Mund të ndjejë diçka. Adela e di që kur të dalë nga aty, do të ketë probleme me familjen dhe Bjordi është një siguri.
Ajo nuk do ta humbasë atë siguri. Nuk e vë në dyshim që ndjen diçka. Ajo nuk është vetvetja. Adelajda thotë që unë dua ta thyej mentalitetin shqiptar. Po nuk thyhet mentaliteti duke u futur në një vend me Bjordin dhe duke u puthur fshehurazi, ku kujton që nuk ka kamera.
Kjo është që ta mbështesë mentalitetin?? Po deshi ta mbështesë mentalitetin që ka Shqipëria, të thotë; ja ku jam unë, kështu jam, më pranoni siç jam ose jo, nuk më intereson.
Unë e jetoj jetën time për vete dhe jo për të tjerët. Kjo është thyerje e mentalitetit dhe jo ajo që bën Adela. Mua më pëlqejnë njerëzit e drejtë, që me të vërtetë janë vetvetja. Pse, çfarë të keqeje ka të jesh vetja jote?! Të pëlqen ta bësh një gjë, bëje! Të jesh krenar për atë veprim që bën dhe jo të ulësh kokën dhe të thuash sa turp.
Ju realizuat një lojë me Bjordin, ku qëllimi ishte të bënit xheloze Adelajdën. Ia arritët?
Po, ia dolëm shumë mirë. Përderisa ata janë bashkë tani dhe njerëzit mendojnë që jam futur mes një lidhjeje..., mendoj se ia dolëm.
Po të mos kisha qenë unë aty, ajo puthja në fshehtësi nuk do të kishte ndodhur. Për të nxjerrë diçka, në këtë rast një ndjenjë, duhet të futet një preson i tretë. Unë atë gjë bëra, plus që Bjordin e kam shumë xhan, e kam me të vërtetë shumë xhan.
Ai është si fëmijë, nuk është naiv, po ai të ndjell atë ndjenjën që ti do ta mbrosh. Kur unë u futa brenda, vura re se Bjordi ishte në një mini depresion, shumë i mërzitur. Iu afrova, fola dhe i thashë se ti ke ndjenjë për dikë këtu.
Pastaj e mora situatën në dorën time edhe iu afrova Bjordit, aty nxori zysha kokën, u bë xheloze, madje jo vetëm për mua, po për të gjitha femrat aty brenda. Pastaj bëra atë pjesën tjetër, vazhdova me planin B. I thashë Bjordit që Adela është bërë xheloze, kështu që sqaroji punët. Që atë ditë filluan ata...
Sa mendoni se do të zgjasë lidhja e tyre?
Është shumë e vështirë të mbash gjallë një lidhje që është aty, në atë moshë që kanë ata. Bjordi ka edhe shumë për të parë nga bota, shumë njerëz për të takuar, shumë gjëra për të bërë. Nuk është i gatshëm për një lidhje serioze.
Ju e njihni jetën e Adelës jashtë Big Brother-it?
Po, pasi dola nga shtëpia, kam dëgjuar. Nuk më duket diçka e veçantë, se është historia e shumë femrave shqiptare.
Kush mendon se do të mbërrijë deri në finale nga konkurrentët?
Adi, Bjordi, Bika. Ndërsa ata që do të doja unë, janë, Aida, Arjoni, Bika. Nga gjithë njerëzit që janë aty brenda, Republikës i nevojiten më shumë lekët.
Keni patur një marrëdhënie jo të mirë me Qetësorin. Pse?
Qetësori është arrogant, manipulues. Po unë e kam xhan Sorin, se atij bravo i qoftë, luan! Mund të kem antipati për dikë, po një gjë të mirë që e ka, nuk mund t'ia heq dot. Sori është lojtar i fortë.
Tani e ndjek Big Brother-in?
Të them të drejtën e kam ndjek shumë pak, se nuk kam pas kohë. Pashë një moment fotografinë a babit të Aidës, m'u bë zemra copë, se më thanë se kishte qarë. Ajo vërtet është një lojë, po ka njerëz që vërtetë janë vetvetja aty dhe krijon një shoqëri. Unë jam shumë e dhimbsur si njeri. Më vjen shumë keq kur shikoj Aidën ashtu, se e konsideroj shoqe.
Ke jetuar për shumë vite në Suedi dhe i ke përballuar të gjitha gjërat vetë. Si të duket mentaliteti i rinisë shqiptare krahasuar me atë jashtë?
Më duket shumë më ndryshe. Njerëzit janë më të mbyllur këtu. Nuk provojnë vetveten. Të tregojnë një fasadë kur i takon për herë të parë. Mbas shumë njohjesh shoqëri të mirë, dhe pasi ke kohë që i njeh, atëherë e tregojnë vetveten.
Edhe diçka, rinia shqiptare është shumë dembele. Unë kam punuar që 18 vjeçe. Këtu njerëzit nuk ia dinë vlerën lekut. Ne kujtojmë që jemi futur në Evropë, por një gjë nuk kuptojnë: që të futesh në Evropë, nuk ke vetëm të drejta, por edhe përgjegjësi. Të drejtat i dimë shumë mirë ne, po përgjegjësit nuk i dimë. Cenojmë të drejtën e tjetrit pa të keqe, nuk mendojmë që gjëja që bëj unë mund të ndikojë edhe tek tjetri.
Do të ktheheni të jetoni në Shqipëri, pasi të mbaroni studimet në Suedi?
Do të doja të kthehesha në Shqipëri, se boll kam jetuar jashtë shtetit, por në qoftë se kam një ofertë të mirë jashtë, aq sa të mos e refuzoj dot, atëherë do iki, po gjithmonë duke ardhur për pushime në Shqipëri, siç e kam bërë deri tani.
Të kanë ndjekur prindërit gjatë qëndrimit në shtëpi dhe a ke folur me ta pasi dole?
Jo, nuk kam folur. Por që më kanë ndjekur, më kanë ndjekur, këto i kam marrë vesh nga shoqja ime, Megi.
Pse jeni kaq e ftohtë me prindërit?
Nuk jam e ftohtë me prindërit, unë e adhuroj babin tim. Ai është njeriu më i shenjtë për mua. E ftohtë jam me nënën. Është shumë e vështirë të lësh dikë të futet në jetën tënde pas 20 vjetësh. Ta pranosh si prind, edhe kjo është shumë e vështirë. Se kur nuk ka qenë aty, kur të dhimbset diçka, apo kur ke kaluar adoleshencën pa dikë, atëherë është shumë e vështirë të hyjë tani. Normal që e respektoj nënën time, për faktin që më ka bërë kokën.
0 Komente:
Posto një koment