Big Brother 2 filloi. Spektakli më i madh i së shtunës në ekranin e televizionit kombëtar “Top Channel” zyrtarizoi nisjen e aventurës së re të 14 banorëve, të cilët do të ndajnë së bashku 100 ditët e qëndrimit në shtëpinë më të survejuar në Shqipëri. Për të dytin vit radhazi, ky “reality show” popullor u prezantua në një studio magjike, plot dritë e ndriçim, nga Arbana Osmani, e cila për gati tri orë me radhë zbuloi risitë që autorët e programit kishin përgatitur për edicionin e dytë të “Big Brother”. Përveç certifikimit nga kompania “Endemol”, nga e cila është blerë programi më i ndjekur sot në botë, “Big Borher 2″ erdhi këtë vit ndryshe si në formë, ashtu edhe në përmbajtje. Në monitorët e mëdhenj të instaluar në studion e mrekullueshme dhe gjigande, për pak momente janë shfaqur pamjet live nga shtëpia, por vetëm kaq, pasi vendi i saj ishte sekret edhe për vetë banorët, deri në momentin e hyrjes së tyre. Por këtij “reality show” të madh nuk mund t‘i mungonin 14 ishbanorët e shtëpisë së “Big Brother”. I ulur në një poltron të bardhë, i ftuari special ishte fituesi i çmimit të madh prej 50 mijë eurosh në edicionin e parë të “Big Brother”, Arbër Cepani. Ai ka marrë përgëzimet e të gjithëve për punën njëvjeçare në projektet e bamirësisë. Përballë tij, në një poltron të zi ishte Virusi, i përzgjedhur nga Vëllai i Madh si më i miri i të përjashtuarve. Mes duartrokitjeve të miqve dhe fansave të tyre të vendosur në ambientet e “City Park” pranë autostradës Tiranë-Durrës, 14 banorët e rinj janë shoqëruar nga Eno Popi, apo “velina”, siç e ka cilësuar Arbana mikun e tij. Edhe këtë vit ai gjendet në krah të djathtë të saj për të prezantuar show-n më të madh në Shqipëri. Një makinë tip “Mazda Kabrio” ndodhej në dispozicion të banorëve, për t‘i përcjellë ata deri te porta e kuqe e shtëpisë së “Big Brother”. Hyrja e banorëve të rinj në shtëpi ishte konceptuar nga autorët e ndarë në dy pjesë. Fillimisht në shtëpi hynë 7 djem e më pas 7 vajza. Derën e shtëpisë së “Big Brother 2″ e ka hapur i pari Ardiani. Me “Don‘t look back in Angel” në sfond, kënga e tij e preferuar, Ardiani nisi aventurën e tij nën moton “Kurrë mos u dorëzo”.
Djemtë
Me hyrjen në shtëpi të Ardianit, ka nisur dhe numërimi i jetës së re në shtëpi. Kontaktori do të masë orët e minutat e qëndrimit në shtëpinë e “Big Brother” për 14 banorët e rinj. Pas Ardianit ka qenë Pavlini ai që i është shtuar shtëpisë. Mes duartrokitjeve të miqve, Pavlini i është drejtuar portës së kuqe të shtëpisë. Motoja që e udhëheq në jetë, “Gjithçka është e mundur”, sot ka më shumë kuptim se kurrë. Banori i tretë që ka lënë pas jetën reale për të nisur lojën ka qenë Dritani. Merr pjesë në “Big Brother” për të mundësuar kështu hapjen e një porte të re në jetën e tij. Dyert që ka mundur të hapë deri më sot e kanë prezantuar fitimtar. Agoni ka qenë banori i katërt që ka hyrë në shtëpi, astronaut në ëndrra, por në jetë i fortë për të përballuar sfidat. Jeta e ka detyruar të bëhet burrë shpejt dhe motoja e tij është “Gjithçka që s‘të vret, të bën më të fortë”. Tre djemtë e tjerë, Bjordi, Arjoni dhe Quetsori, i janë drejtuar së bashku shtëpisë. Të tre me ëndrra që presin t‘i realizojnë në jetë, në “Big Brother” premtojnë të arrijnë sfidat, të jenë të suksesshëm. Por hyrja e tyre drejt shtëpisë ishte menduar ndryshe nga katër të parët. Si e deleguar e Vëllait të Madh, Arbana i ka drejtuar djemtë jashtë shtëpisë, ku ishte ngritur një çadër kampingu. Atje u ka komunikuar atyre njoftimin “lojë” që autorët u kanë përgatitur. “Big Brother 2″ do të ketë vetëm konkurrentë djem. Pas këtij njoftimi, Vëllai i Madh u ka lejuar tre djemve të shprehin një dëshirë në dhomën e rrëfimit e më pas të rikthehen sërish në çadër. Rrengu i ngritur enkas për çunat ka qenë pikënisja për hyrjen e 7 banorëve të tjerë, këtë herë të gjitha vajza. Fati i tre djemve ka qenë ndjekja e spektaklit dhe prezantimit me banorët e rinj në një zonë të izoluar jashtë shtëpisë.
Vajzat
Republika ishte e para që iu bashkua djemve në shtëpi, duke shkaktuar dhe reagime për shkak të “lojës” ende të pakuptuar nga ata. Më pas ka qenë Adelajde, që i ka vënë pikën gjithë sajesës së autorëve. Djemtë janë lehtësuar ndërsa kanë kuptuar rrengun se në shtëpi ka edhe vajza. Erjola, banorja e dhjetë e “Big Brother”, ka lënë në shtëpi vajzën e saj, e cila e ka përshëndetur nga ekrani. Pjesë e aventurës së “Big Brother” ishte dhe Zhuljeta me sytë blu, vajza që e quan jetën xhungël dhe që i pëlqen të fitojë gjithmonë, pavarësisht lojës. Grupit të vajzave në shtëpi i është bashkuar Aida, vajza që s‘ka frikë nga dashuria, edhe pse shumë herë e ka bërë të vuajë. Lirita e Mimoza, dy vajzat nga Kosova, kanë mbyllur prezantimin e 14 banorëve të rinj të edicionit të dytë të “Big Brother”.
“Loja” e Vëllait të Madh
Siç ishte premtuar nga autorët e programit, lojërat dhe surprizat kanë qenë krejt të ndryshme nga vjet. Tre djemtë konkurrentë nuk kanë hyrë direkt në shtëpi, por janë izoluar në një zonë jashtë shtëpisë. Atje janë njoftuar nga Arbana se në shtëpinë e “Big Brother” këtë vit do të kishte vetëm djem. Loja e parë që autorët kanë menduar t‘u bëjnë banorëve ishte izolimi i tre banorëve të rinj, Bjordit, Qetsorit dhe Arjonit, para se ata të hynin në shtëpi, pa u dhënë asnjë shpjegim. Nga Arbana ata kanë mësuar se banorët e “Big Brother 2″ do të jenë vetëm djem. Por me hyrjen e vajzave në shtëpi, kanë kuptuar se është vetëm një lojë. Tre çunat kanë zhvilluar dhe një lojë me banorët e edicionit të parë të “Big Brother”. Sipas rregullave të lojës, ai që do të fitonte lojën do të hynte në shtëpi, humbësit do të flinin në çadër. Ish-banorët kanë mimuar tre përralla: “Borëbardha”, “Hirushja” dhe “Kësulëkuqja”. Vetëm njëri prej tyre ka gjetur lojën, dy të tjerëve u është dashur ta ndajnë bashkë të vetmin dyshek që gjendet në çadër. I vetmi shans për të hyrë në shtëpi mbetet gjetja e përrallës së fundit, më pas drejt e në shtëpi. Më pas të gjithë banorët kanë shkuar në dhomën e rrëfimit për të shprehur dëshirat e tyre pranë Vëllait të Madh. Ai më pas do të vendosë publikimin e tyre.
ARDIANI
Ka rrëfyer se ka një botë të brendshme që
të paktë janë ata të cilët mund ta kuptojnë.
Ardiani thotë se jeta mund të bëhet,
por jo të zhbëhet. Në fëmijëri ai ëndërronte
të bëhej pilot, por ka arritur të bëjë shumë
më tepër. Tashmë është bërë burrë. Motoja
e tij është: “Kurrë mos u dorëzo”!
PAVLINI
Nëse do të kthehej mbrapa në kohë, do të
donte të ndihej krenar për atë çka ka lënë.
Motoja e tij është: “Gjithçka është e mundur”.
Për të, më e rëndësishmja është të
qenit vetvetja. Dëshiron që t‘i jepet mundësia
për t‘u prezantuar realisht dhe “Big
Brother” po ia jep këtë mundësi.
DRITANI
Merr pjesë në “Big Brother” për të mundësuar
kështu hapjen e një portë të re në
jetën e tij. Dyert që ka mundur të hapë deri
më sot e kanë prezantuar fitimtar. Jo të
gjithë përkrahin zgjedhjen e tij për të hyrë
në shtëpinë e “Big Brother”. Kush e përkrah
atë, e bën me gjithë zemër.
AGONI
Në fëmijëri ëndërronte të bëhej astronaut.
Nuk mundi të rrëmbente hënën, por në
ëndrra ka ecur mes yjeve. Jeta e ka detyruar
të burrërohet herët e të përballet shumë
shpejt me sfidat e saj. Motoja e tij është:
“Gjithçka që s‘të vdes, të bën më të fortë”.
Thotë se ka shumë për të treguar.
BJORDI
Që në vogëli ëndërronte të bëhej aktor, por
në jetën e përditshme nuk mund të recitohet.
Prej moshës njëvjeçare, zemrës së tij
diçka i mungonte, por ai gjeti forcën dhe i
dha vlera asaj që nuk i mungonte. Tashmë
është kthyer në Shqipëri dhe hyn në
shtëpinë e famshme të “Big Brother”.
ARJONI
E përkufizon veten “një kameleon”. Për të
jeta është një intervistë pune. Ai thotë se do
të ketë arritur suksesin vetëm atëherë kur
t‘i këtë ngjarë të atit të paktën 20%. Tanimë
pranon të futet në shtëpinë e “Big Brother”
për të provuar një tjetër eksperiencë.
QETSORI
Ka ardhur në “Big Brother” për të bërë
krenar të atin. Ka ardhur për t‘u bërë
heroi i të birit. Ka ardhur për të fituar
dhe për të marrë pjesë në një sfidë. Motoja
e tij është: “Di një gjë, që nuk di asgjë”.
I gatshëm të futet në shtëpinë e famshme
të “Big Brother”.
REPUBLIKA
Motoja e saj është: “Kur nuk e ke atë që do,
duhet patjetër të duash atë që ke”. Për ta
përshkruar atë, mjaftojnë pak fjalë. Ajo
nuk është gjithsesi një person i zakonshëm.
Pranon të marrë pjesë në garën e
shtëpisë së “Big Brother”.
ADELAJDA
Është kokëfortë dhe e ëmbël. Dëshiron të
hyrë në shtëpinë e “Big Brother” për t‘u
përballur e konfrontuar si përherë. Konsiderohet
origjinale dhe e pavarur në
mendime. Në këtë moment të veçantë do
të kishte dashur pranë persona që vendosën
të mos ishin, por kjo e bën akoma
më të fortë.
ERJOLA
Vendosmëria e saj e solli deri këtu. Beteja e
saj më e madhe është se “nuk do të arrijë të
qëndrojë brenda shtëpisë së ‘Big Brother‘,
por të arrijë të qëndrojë larg shtëpisë së saj”.
Fjalët nuk i mungojnë, prandaj është e
gatshme të garojë në “Big Brother”.
XHULIETA
I pëlqen të fitojë gjithmonë, cilado qoftë
loja. E do jetën, por e konsideron një
xhungël. Në moshë të vogël ishte si djalë,
por duke u rritur zbuloi se sa e rëndësishme
është të qenit femër. E aftë të të
ngrijë me një vështrim dhe të të shkrijë me
një buzëqeshje.
AIDA
Jeta e saj është e pasur me persona të
veçantë. Nuk ka pasur kurrë frikë të
dashurojë, qoftë kjo edhe me koston e vuajtjes.
Pavarësia për të nuk është të jetojë
vetëm, por të jetojë e lirë. Ndihet si një lule
e sapoçelur dhe që feston lulëzimin e saj
me këtë aventurë të jashtëzakonshme.
LIRITA E MIMOZA
Vijnë të dyja nga Kosova dhe që të dyja
janë të vendosura të mbartin shumë energji.
Mund të konsiderohen gjithashtu
fitimtare dhe premtojnë të dyja që nuk do
të na zhgënjejnë. Nëse mendoni se janë
njësoj, gaboheni!!!
Burimi: BigBrotherAlbania2.NET
0 Komente:
Posto një koment